PROGRAMI PËR RI-SISTEMIMIN E PJESËTARËVE TË TMK-së
Programi për ri-sistemimin e pjesëtarëve të TMK-së është hartuar t'i ndihmojë personelit që është larguar nga TMK-ja pas shpërbërjes, por që nuk janë bashkuar FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës), që të ri-sistemohen në jetën civile.
Programi për Ri-sistemim përbëhet nga mbështetja gjithëpërfshirëse me ri-integrim ekonomik përmes punësimit apo zhvillimit të bizneseve të vogla, dhe të një sistemi të pagesës për shkëputje nga puna. Programi financohet nga një Fond Trust i NATO’s.
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) është përzgjedhur për të menaxhuar Programin për ri-sistemimin e pjesëtarëve të TMK-së, i cili do të zgjasë deri në tre vjet. Ndërsa, Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK) do të jetë partner vendor i UNDP-së si përgjegjës për të ofruar mbështetje për ri-integrimin ekonomik. UNDP-ja do të menaxhojë pagesën e shkëputjes nga puna për pjesëtarët e TMK-së të cilët kanë të drejtë të jenë pjesë e Programit.
Gjatë 8 vjetëve të fundit APPK-ja ka zbatuar projekte duke arritur të integrojë dhe ri-integrojë ekonomikisht grupet synuese të ndryshme duke përdorur metoda të ndryshme. Si rezultat i aktiviteteve të tilla ekonomike, deri tani rreth 8000 përfitues janë ri-integruar në ekonominë e Kosovës. UNDP/APPK kanë zyrat e Programit për ri-sistemim në Prishtinë, Mitrovicë, Skenderaj, Pejë, Prizren dhe Gjilan. Ato janë funksionale që nga Janari 2009. Më shumë detaje rreth Programit dhe zyrave përmban faqja e internetit të APPK-së www.appk.org, ose në zyrat qendrore të APPK në Prishtinë, por edhe në telefon 038 24 34 74.
BAZA LIGJORE
Autoriteti për shpërbërjen e TMK-së është i mbuluar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe nga Ligji për Shpërbërjen e TMK-së. Neni 1 i Ligjit për Shpërbërje thotë se “Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), pasi që kanë përmbushur objektivat e veta, duke përfshirë edhe mbështetjen e rimëkëmbjes së Kosovës pas konfliktit, do të shpërbëhen brenda një viti pas përmbylljes së periudhës së tranzicionit”.
Programit të Risistemimit u referohet në Nenin 10 të Ligjit për Shuarje. Ky Ligj thotë se “do të zhvillohet programi i risistemimit si dhe do të përfshijë sigurimin e këshillimit dhe të këshillave; identifikimin dhe përputhjen e shkathtësive me mundësinë e vendeve të punës në dispozicion; si dhe qasjen në trajnim dhe arsim sikurse edhe në mundësitë e zhvillimit të bizneseve të vogla.”
Neni 6.3 për Shpërbërjen e TMK-së gjithashtu thotë se “Duke iu nënshtruar kërkesave të aplikueshme, pjesëtarët mund të kenë të drejtë për përfitimin e pensionit të TMK-së, paketës për shkurtim nga puna dhe/ose programit të riintegrimit.” Megjithatë Programi për Ri-sistemim është hartuar në mënyrë që të gjithë pjesëtarët që do të marrin pjesë në program do të marrin pagesën për shkëputje nga puna dhe do të përfitojnë nga programi për përkrahje në punësim. Detajet e plota të Ligjit mund t’i gjeni në internet në www.assembly-kosovo.org.
KUSH PËRFITON NGA PROGRAMI
- Të gjithë pjesëtarët e TMK-së të cilët kanë qenë aktiv në kohën kur Ligji për Shpërbërjen e TMK-së është miratuar në Kuvend (13 Qershor 2008), përveç atyre të rekrutuar në FSK (Forcën e Sigurisë të Kosovës) kanë të drejtë të regjistrohen në Programin për ri-sistemim.
- Ata pjesëtarë të TMK-së të cilët janë përzgjedhur për të hyrë në FSK por vendosin të heqin dorë brenda gjashtë (6) javëve të shërbimit, ose që nuk përmbushin kriteret, gjithashtu do të kenë të drejtë të marrin pjesë në Programin për ri-sistemim. Megjithatë, ata humbin të drejtën për programin në momentin që pranojnë kontratë të plotë me FSK-në.
- Pjesëtarët e TMK-së të cilët kualifikohen për pension të menjëhershëm do të kenë gjithashtu të drejtë të regjistrohen në Programin për ri-sistemim dhe përfitojnë nga e gjithë mbështetja e ofruar.
MBËSHTETJA EKONOMIKE PËR RI-INTEGRIM
Përkrahja fillestare
- Prezantim bazë rreth përfitimeve të bashkangjitura me programin të cilat i ofrohen secilit individ të përfshirë në Program dhe regjistrimit përcjellës në program.
- Trajnimi Orientues që do të organizohet në grupe të vogla të përcjellura nga këshillimi individual që ka për qëllim të ndihmojë pjesëmarrësit të identifikojnë mundësitë e ri-integrimit ekonomik dhe përcaktimit të mbështetjes më të përshtatshëm në bazë të nevojave të veçanta të secilit pjesëmarrës.
- Bazuar në aspiratat dhe kualifikimin e tyre, të vlerësuar nga këshilltari personal i pjesëmarrësit, secili individ do të mbështetet përmes njërës nga këto mundësi:
Ndërmjetësim në punësim
- Qëllimi i këtij instrumenti është punësimi i qëndrueshëm. Kohëzgjatja e kontratës duhet të jetë më së paku 12 muaj, por përpjekje të vazhdueshme bëhen për të arritur punësim për një kohë sa më të gjatë.
- Identifikimi i mundësive të punësimit në sektorin publik dhe privat, si dhe informimi rreth nevojave dhe interesave të burimeve njerëzore për ofruesit e mundshëm të vendeve të punës.
- Përkrahje këshilluese dhe trajnim rreth metodologjive dhe teknikave që përdoren gjatë aplikimit për një vend pune.
- Mundësimin e lidhjes së kontratës si dhe pagesën e subvencionimit të të punësuarve për një periudhë të caktuar.
- Këshillim dhe mentorim i vazhdueshëm gjatë punësimit.
Nga këndvështrimi i programit tonë, me punësimin e kandidatëve nga Programi i ri-sistemimit, punëdhënësi mund të përfitojë në disa mënyra:
- Pasuron kuadrin profesional, që paraqet një prej parakushteve më të rëndësishme për mbarëvajtjen dhe suksesin në punë.
- Nga programi ofrohet një përkrahje financiare për punësimin e kandidatëve dhe atë në formë të participimit në të ardhurat personale deri në 250€/muaj për 6 muajt e parë të punësimit, me ç’rast krijohet një efekt pozitiv edhe në qëndrueshmërinë ekonomike të institucionit/kompanisë përkatëse.
- Punësimi i kandidatëve nga radhët e ish - TMK-së krijon një nder dhe respekt për kompaninë/punëdhënësin.
Trajnim dhe shkollim profesional (të kombinuar me përkrahje në punësim)
- Trajnim profesional ose trajnim duke punuar, të përshtatur në bazë të nevojave të punëdhënësve dhe përshtatja e profilit të pjesëmarrësve në përputhje me shkathtësitë e kërkuara në tregun e punës, duke rritur qëndrueshmërinë e mbështetjes për ri-integrim dhe punësim afatgjatë. Gjatë periudhës së trajnimit, që zgjatë deri në tre muaj, kandidatëve do të ju ndahet një bursë në vlerë prej 150 Eurosh. Ndërsa me rastin e punësimit të këtyre kandidatëve, përkrahja financiare në pagë do të kufizohet në 4 muaj, meqenëse në përgatitjen e këtyre kandidatëve tashmë është investuar një shumë e caktuar.
- Mundësimit në programet e shkollimit profesional për të rritur. Roli ynë është trajnimi i trajnerëve të kandidatët në punë. Trajnimi në punë zakonisht zgjatë tre muaj. Me qëllim të kësaj, ofrohet edhe një përkrahje simbolike financiare për trajnerin.
- Përkrahje në punësim duke marrë parasysh profesionet për të cilat është ofruar trajnimi apo fusha e shkollimit.
Vetëpunësim
- Trajnim për fillimin e biznesit dhe informimit mbi mundësitë për biznes.
- Përkrahje për zhvillimin e planit të biznesit për ngritjen e biznesit privat, bashkëngjitjes në një biznes ekzistues, apo ngritjen e një biznesi me disa partnerë /përfitues.
- Dhënia e granteve të hartuara në bazë të nevojave respektive të planit të biznesit;
- Këshillim dhe mentorim i vazhdueshëm gjatë kohëzgjatjes së Programit për ri-sistemim.
PAGESA PËR SHKËPUTJE NGA PUNA
Pagesa për shkëputje nga puna është e barasvlefshme me një pagë 12 mujore (bazuar në pagën mesatare të individit gjatë 12 muajve të fundit të shërbimit në TMK).
Pagesa për shkëputje nga puna paguhet çdo muaj pas çmobilizimit individual.
Pjesëtarët e TMK-së të cilët kanë të drejtë të përfitojnë nga Programi për ri-sistemim gjithashtu kanë të drejtë të përfitojnë nga pagesa për shkëputje nga puna.
Pjesëtarët e TMK-së të cilët kanë të drejtë për pensionim të menjëhershëm gjithashtu do të kenë të drejtë të përfitojnë nga pagesa për shkëputje nga puna sikurse ata të cilët nuk kualifikohen për pensionim të menjëhershëm.


